Sytë e botës sot janë kthyer kah Alaska, ku po zhvillohet takimi historik mes Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe homologut rus, Vladimir Putin.

Samiti synon adresimin e luftës në Ukrainë dhe pritshmëritë janë të larta. Putin ka përgëzuar përpjekjet e Trumpit, duke thënë se “presidenti amerikan po bën përpjekje të sinqerta për paqe”, ndërsa ka lënë të kuptohet se armët bërthamore mund të jenë pjesë e diskutimit.

Nga ana tjetër, Trump paralajmëroi pritje të matur, duke thënë për Fox News Radio se ka “vetëm 25% shans që takimi të jetë i suksesshëm”. Ai shtoi se një armëpushim është pak i mundshëm sot, por mund të përgatitet një takim i dytë me pjesëmarrjen e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe liderëve evropianë.

Ndërkohë, Kryeministri britanik Keir Starmer u takua me Zelenskyn të enjten në Londër, duke deklaruar se “Putin duhet të vërtetojë se është serioz për paqen”.

Udhëheqësit evropianë po e ndjekin nga afër samitin që mund të ndikojë në ecurinë e luftës.