durres viktima Aranit Kurti

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm në Manëz të Durrësit, ku dy të rinj humbën jetën pas një përplasjeje me armë zjarri.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:45, në ambientet e një lokali pranë një karburanti. Viktimat janë identifikuar si Aranit Kurti, 23 vjeç, dhe Flori Paluçi, 33 vjeç, të dy banues në zonë.

Sipas burimeve paraprake nga hetimi, gjithçka ka nisur kur njëri prej viktimave, së bashku me një person tjetër, kanë hyrë në lokal dhe i kanë kërkuar kamerierit që t’u përgatiste kafe. Ky i fundit u ka shpjeguar se ekspresi i kafes ishte i fikur, gjë që ka shkaktuar një debat verbal mes tyre.

Situata është përshkallëzuar shpejt, pasi në konflikt është përfshirë edhe një person tjetër që ndodhej në lokal. Më pas ka ndodhur përplasja me armë zjarri.

Nga të dhënat e para hetimore dyshohet se Flori Paluçi ka qëlluar me armë ndaj Aranit Kurtit, duke e lënë të vdekur në vend. Menjëherë pas kësaj, 21-vjeçari D. P., i pranishëm në lokal, ka qëlluar për vdekje Flori Paluçin.

Kamerieri, ndonëse u përfshi në konfliktin verbal fillestar, nuk ka mbetur as i plagosur dhe as viktimë në këtë ngjarje.

21-vjeçari D. P. është shpallur në kërkim nga policia, e cila ka ngritur pika kontrolli dhe po kryen operacione intensive për kapjen e tij. Grupi hetimor, nën drejtimin e prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.

Kështu deklaroi kamarieri:
“Daniel Pepa erdhi në lokal dhe më kërkoi një kafe. Bashkë me Daniel Pepën ishte edhe një shok i tij. I thashë që nuk ta bëj dot kafenë se ekspresi kërkon kohë të ngrohet. Ekspresin e kisha fikur që në orën 00:00, më tej nuk shërbejmë. Kur i thashë se nuk ta bëj dot kafenë, Danieli më ofendoi. Ai ngulmoi t’ia bëja kafenë. Nuk i ktheva përgjigje, por ndërhyri Flori Paluçi. Flori Paluçi i tha Daniel Pepës që të mos më fyente. Paluçi dhe Pepa debatuan me njëri-tjetrin, më pas dolën te dera”, tha ai.