Shtetet e Europës me më shumë miliarderë: Gjermania në krye, Spanja në fund të listës

Pabarazia ekonomike mbetet një nga sfidat më të mëdha të kontinentit europian. Sipas të dhënave të “Our World in Data”, në pothuajse çdo shtet të Europës, 1% më i pasur i popullsisë zotëron të paktën 20% të pasurisë kombëtare.

Revista prestigjioze Forbes raporton se në vitin 2025, numri i miliarderëve në botë ka kaluar shifrën prej 3,000, me një pasuri të përbashkët që arrin në 16.1 trilionë dollarë. Megjithëse pasuria globale është e përqendruar kryesisht në SHBA, Kinë dhe Indi — të cilat mbajnë më shumë se gjysmën e miliarderëve të botës — edhe Europa ruan një prani të fortë të super të pasurve.

Në krye të listës europiane qëndron Gjermania, me 171 miliarderë, të cilët zotërojnë së bashku 676.4 miliardë euro.

Pas saj vjen Italia me 74 miliarderë dhe një pasuri totale prej 289 miliardë eurosh, ndërsa Mbretëria e Bashkuar renditet e treta me 55 miliarderë që zotërojnë 203 miliardë euro.

Franca ka 52 miliarderë, e ndjekur nga Suedia me 45 dhe Zvicra me 42, duke treguar përqendrimin e jashtëzakonshëm të pasurisë në shtete të vogla, por shumë të zhvilluara.

Ndër pesë ekonomitë më të mëdha të kontinentit, Spanja rezulton me numrin më të ulët të miliarderëve – vetëm 34 në total.