Qindra mijëra protestues mbushin sheshet dhe rrugët kryesore
Ndërsa Beogradi po bëhet gati për protestën masive që pritet të organizohet të shtunën, mijëra qytetarë kanë mbushur sheshet kryesore të kryeqytetit për të mirëpritur protestuesit nga mbarë Serbia.
Siç raportojnë mediat serbe, në Beograd, të premten në mbrëmje kanë mbërritur një numër i konsiderueshëm i studentëve, të cilët janë nisur qoftë në këmbë qoftë me biçikleta drejtë kryeqytetit.

Protestuesit që kanë ardhur nga qytetet e tjera të Serbisë u mirëpritën nga të pranishmit me pankarta me mbishkrimin “studentë, Beogradi është i juaji”, si dhe me medalje e lule.
Fakultetet anembanë Serbisë janë të bllokuara për më shumë se tre muaj. Studentët po kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për vdekjen e 15 njerëzve nga shembja e një strehe në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor 2024.
Rojet e studentëve u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos iu afrohen traktorëve dhe gardhit që çon në Parkun e Pionierëve në mes të Presidencës së Serbisë dhe Kuvendit të Serbisë, ku janë vendosur në kampe një grup tjetër studentësh që kundërshtojnë bllokadat e fakulteteve.

Një numër i madh traktorësh janë parkuar rreth Parkut të Pionierit në qendër të kryeqytetit.
Grupi “Studentët 2.0” është i vendosur në Parkun e Pionierit që nga 6 marsi. Ata e quajnë veten “studentë që duan të mësojnë” dhe kërkojnë përfundimin e bllokadave.
Në tubimin madhor në Beograd, më 15 mars, autoritetet serbe parashohin që të ketë “dhunë të madhe”, teksa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, paralajmëroi edhe arrestime.
Qeveria kishte akuzuar më parë opozitën për përgatitjen e dhunës, ndërsa studentët hodhën poshtë akuzat. Protesta në Beograd konsiderohet si kulmi i demonstratave disamujore anembanë Serbisë të udhëhequra nga studentët.
/Kosovajone.press ©