Krejt çka dihet deri tani për krimin tronditës që ndodhi në MALISHEV

Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot fshatin Gollubovc të Malishevës, ku dy vëllezër janë vrarë me armë zjarri.
Dyshohet se autor i krimit është dhëndri i familjes, i cili pas ngjarjes është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ndodhet ende në arrati.

Kush janë viktimat

Burime nga terreni bëjnë të ditur se viktimat janë Naim Morina (45 vjeç) dhe Driton Morina (32 vjeç).
Sipas të dhënave fillestare, vëllezërit janë qëlluar nga Astrit Isufi, nga një fshat i komunës së Drenasit.

Si ndodhi ngjarja

Krimi ndodhi rreth orës 11:30 të paradites së sotme, kur i dyshuari kishte shkuar në shtëpinë e viktimave për të marrë bashkëshorten e tij, pas të pameve për babanë e saj të ndjerë.
Pas disa minutash, sipas burimeve të redaksisë, ai është rikthyer dhe ka hapur zjarr ndaj dy vëllezërve, duke i lënë të vdekur.

Njëri prej tyre ka humbur jetën menjëherë, ndërsa tjetri ka ndërruar jetë rrugës për në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kijevë.

Në momentin e ngjarjes, gruaja e të dyshuarit (motrës së viktimave) dhe vajza e tyre kanë qenë në veturë, duke parë gjithë skenën tragjike.

Motivi i dyshuar

Burime nga redaksia bëjnë të ditur se dy vëllezërit Morina i kishin kërkuar motrës së tyre të ndahej nga bashkëshorti, për shkak të problemeve që kishin pasur më herët në martesë.
Dyshohet se ky ka qenë edhe shkaku kryesor i përplasjes që përfundoi me vrasje.

Reagimi i policisë dhe hetimet

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ka konfirmuar për mediat se rasti është regjistruar si “vrasje e dyfishtë”.

Lidhur me rastin, deri më tani është identifikuar një person i dyshuar, gjithashtu mashkull i moshës madhore. Në koordinim me prokurorin e shtetit janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin dhe arrestimin e të dyshuarit”, – ka deklaruar Elezaj.

Në vendin e ngjarjes është gjetur një armë zjarri, ndërsa policia ka bastisur një autosallon me emrin ‘Astriti’, në rrugën Komoran–Carralevë, që dyshohet se është në pronësi të të arratisurit.

E kaluara e të dyshuarit

Sipas burimeve të Klankosova.tv, Astrit Isufi është emër i njohur për policinë.
Ai më herët ishte hetuar për veprat penale “Dhunë në familje” dhe “Kanosje”.
Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj tij, dhe ai kishte qëndruar për disa muaj në paraburgim, megjithëse nuk dihet saktësisht kur masa i është ndërprerë.

Hetimet vazhdojnë

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se njësitë e policisë janë ende në terren, duke mbledhur provat dhe duke punuar për lokalizimin e të dyshuarit.

Në koordinim me prokurorin kujdestar, policia po ndërmerr veprimet e duhura për sigurimin e provave dhe arrestimin e të dyshuarit”, – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Ngjarja ka tronditur banorët e Malishevës, të cilët e kanë përshkruar rastin si një tragjedi familjare që ka marrë dy jetë brenda një familjeje.


Vërejtje ligjore

Personi i përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohet i pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.