Kosova është pasuruar me 344 ushtarë të rinj, të cilët të premten u betuan në kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj.

Në një ceremoni solemne, ata u pranuan si pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), përpara autoriteteve shtetërore, eprorëve dhe familjarëve të tyre.

Presidentja Vjosa Osmani, si komandante supreme e FSK-së, iu drejtua rekrutëve me një mesazh frymëzues, duke theksuar se ata po marrin mbi supe një mision të rëndësishëm: ta mbajnë gjallë trashëgiminë dhe amanetin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndër ata që realizuan ëndrrën për t’i shërbyer atdheut me uniformë është Leonora Gajtani. Ajo e përshkroi përvojën e trajnimit nëntëjavor si sfiduese, por edhe shumë kuptimplote:

“Për mua është një ndjenjë e jashtëzakonshme të jem pjesë e kësaj force dhe t’i shërbej vendit tim. Trajnimi ka qenë i vështirë, por falë instruktorëve tanë kemi arritur t’i tejkalojmë të gjitha sfidat,” u shpreh ajo.

Bahri Jahiri, një tjetër ushtar i sapobërë, tregoi përvojën e tij gjatë përgatitjes, duke theksuar se tranzicioni nga jeta civile në atë ushtarake kërkon disiplinë dhe përkushtim të madh.

“Kemi mësuar aftësi të shumta, veçanërisht për mbijetesën dhe rezistencën, gjëra që nuk i hasim në jetën e përditshme,” tha ai.

Kryeministri Albin Kurti, nga ana e tij, konfirmoi se qeveria do të vazhdojë investimet në ushtri, duke siguruar mbështetje të plotë për fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.

Ndërkohë, Kosova po përparon edhe në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, me plane për prodhimin e municioneve dhe dronëve në vend. Po ashtu, bashkëpunimi me aleatët ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në dhe vendet anëtare të NATO-s si Shqipëria dhe Kroacia, është intensifikuar në kuadër të transformimit të FSK-së në një forcë të mirëfilltë ushtarake deri në vitin 2028.

Gjatë ceremonisë, disa rekrutë u vlerësuan për arritjet e tyre të spikatura. Luan Verbovci u nderua për rezultatet akademike, Elvis Qitaku për performancën fizike, ndërsa instruktorët Rafet Gashi dhe Valon Halimi për përkushtimin e tyre në trajnimin e ushtarëve të rinj.